Pse Duhet T¨bashkohen Shqiptarët

Pse Duhet T¨bashkohen Shqiptarët

Pse Duhet T¨bashkohen Shqiptarët
(Dërguar më: 14/04/10) Dr. Sulejman ABAZI

 
Pse duhet të bashkohen shqiptarët
Dëshirat nuk mund të interpretohen si realitet. Aftësia intelektuale është të analizohet realiteti, ndryshe idealizmi dhe romantizmi patriotik brenda tij kthehen në një fenomen qesharak.

Është e njëjta gjë, kur njeriu synon të kapë vijën e horizontit dhe sa më shumë që i afrohet asaj, ajo aq më shumë zhvendoset më tej. Por, në këtë fenomen ka një sens pozitiv, dëshira e njeriut për të lëvizur përpara, duke pasur një motiv, për ta arritur këtë vijë. "Kapja" e kësaj vije ka të bëjë me vlerësimin e realitetit që jetojmë.

Idealizmi nuk të çon asgjëkundi, por ai ka dhe anën e vet pozitive. Ai e mban gjallë ëndrrën njerëzore. Në këtë fenomen ne jemi të prirur të kapemi fort pas anëve pozitive të saj, sepse midis ëndrrave tona ekzistojnë edhe realitete të bazuara mbi aspiratën shekullore drejt ribashkimit kombëtar.

Strategjia mbi trajtimin e kësaj ëndrre apo aspirate kombëtare, duhet të bëjë që atë ta kthejë në një realitet dhe për ta realizuar këtë, është e nevojshme që të ndërtohen urat që lidhin dy brigjet.

Ëndërrimtarët midis nesh nuk duhet të shahen dhe as të anatemohen për idealizmin e tyre mbi dëshirat që shprehin, por ata duhet të jenë të orientuar drejt programeve të realizueshme.

Ka shumë prej tyre, që duke mos qenë të kthjellët në atë se çfarë kërkojnë, tërhiqen shpejtë të prirur nga koncepti "më mirë të mos kesh gjyq, se sa ta fitosh atë", ose nga thënia latine e karakterit biblik; "fola dhe shpirtin tim shpëtova".

Ky lloj individualiteti pak shërben për nxitjen e mendimit filozofik drejt zgjidhjeve racionale të pranuara në zhvillimin e çështjes kombëtare.

Në ndërmarrje të tilla synojmë atë që është më e rëndësishmja që i vlen realitetit në të cilin operojmë, nga e njohura drejt të panjohurës. Duke e zhvilluar më tej mendimin natyrshëm lind pyetja:

Pse duhet të bashkohen shqiptarët?

Propaganda efektive dhe e hapur në rrugë demokratike me argument shkencore, që arrijnë të depërtojnë dhe bindin opinionin pse duhet të ndodhë ky proces, ka të bëjë me mposhtjen në planin politik të nacionalizmit agresiv, aspak tolerant, i manifestuar nga kohë pas kohe nga shtetet në kufijtë e kombit shqiptar.

Për të arsyetuar më tej, është e logjikshme dhe e justifikuar kundër pyetja:

Pse shqiptarët duhet të jenë të coptuar në 5 shtete dhe në 8 pjesë, kur këtë situatë nuk e kanë kërkuar apo sjellë ata brenda rajonit historikisht të trazuar?

Pse politikat konservatore e kanë dashur më parë, e duan edhe sot këtë gjendje tek Kombi Shqiptar?!


Sigurisht, në thelbin paradoksal të këtij qëndrimi dallohen shumë "arsye apo argumente", që justifikojnë ideatorët e copëtimit të shqiptarëve!

Kombi shqiptar është quajtur një popull që vjen nga një lashtësi e largët.

Historia e tij vlerësohet si një libër, i cili nëse sot do të hapet, atëherë historia e Ballkanit duhet të shkruhet ndryshe.

Pamundësia e asimilimit drejt shpërbërjes dhe zhdukjes së shqiptarëve ka sjellë në vëmendje copëtimin e diktuar për shumë arsye.

Këtë situatë e pasoja tragjike e kanë simuluar në çdo kohë vetë ata që sot lakmojnë hapësirën më strategjike të kontinentit evropian, e cila lidh tërë rrugëkalimet në vijën më të shkurtër midis lindjes dhe perëndimit, duke pasur në qendër të saj hapësirën kyçe të Maqedonisë dhe margaritarin Durrës në bregdetin e Adriatikut.

Mbi origjinën e shqiptarëve sot bëhet fjalë për një mbeturinë historike (gjithmonë sipas tyre), e cila nëse do të shpjegohet larg interesave politike dhe pa raport forcash, do të dilte si një nënshtresë që arrin të shpjegojë sot e kësaj dite, origjinën e gjuhëve indo - evropiane.

Akademitë më prestigjioze të botës, pranojnë se gjuha me origjinë në këtë hapësirë është më e vjetra, me moshë mbi 9 mijë vjeçare. Në gojën e të tjerëve shqiptarët lëvdohen se paskan folur më herët se të tjerët, pra me gjuhën e Zotit.

Ata që synojnë daljen në Adriatik me dëshirën e madhe për ta sunduar këtë hapësirë, asnjëherë nuk e kanë dëshiruar kompaktësinë e kësaj popullsie.

Historia me fakte të pakontestueshme ka pranuar se, si romakët dhe më vonë osmanllinjtë, edhe pse e kanë mbajtur të pushtuar gjatë këtë hapësirë, asnjëherë nuk arritën ta shpërbëjnë këtë popullsi dhe u detyruan që ta kthejnë atë në aleat të tyre, duke bashkëqeverisur kudo.

Nuk ka se si të mohohen perandorët ilirikë të Romës dhe vezirët me origjinë shqiptare në krye të Divanit të Perandorisë Osmane.

Duke vlerësuar vitalitetin e kësaj popullsie, për arsyet që shpjeguam më sipër, sot po tentohet me të gjitha format drejt mureve artificial, që popullsia shqiptare në Ballkan të mbahet e ndarë dhe e coptuar, për të mos u kthyer në faktor në vendimmarrjen rajonale.

Kësaj popullsie po i mohohet roli si të gjithë kombet e tjerë në Ballkan.

Tronditjen e parë e gjeneroi rasti "Kosovë", çka duhet të pasohet me procese të tjera drejt ribashkimit, për të lehtësuar proceset e integrimit rajonal.

Me të drejtë arsyetojmë: cili do të ishte roli i kombit shqiptar nëse do të ishte i bashkuar në një shtet komb, siç janë dhe kombet e tjerë në rajon?

Sigurisht, përgjigjen e parasheh kushdo që ka dy pare mend.

Nëse një ditë do të jetë kështu, menjëherë do të ndryshonte konfiguracioni i Ballkanit, sot me një hartë politike tejet qesharake.

Ribashkimi i kombit shqiptar dhe potencialet e tij do të prishnin menjëherë aleancën problematike serbo-greke, dhe rrjedhimisht, vlerësimet e fuqive të mëdha për Ballkanin dhe shqiptarët do të ndryshonin.

Kjo do ta çonte rajonin drejt stabilitetit, drejt një fuqie balancuese, garant i paqes dhe sigurisë në rajon.

Historikisht në asnjë rast shqiptarët nuk kanë dhunuar jetën e kombeve fqinj, përkundrazi. Këtë ide potenciale deklaroi ish presidenti i SHBA-ve, George W. Bush, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë.

Në fund të fundit, ky mbetet vizioni i politikës amerikane në raportet e saj me Kombin Shqiptar.

A duan shqiptarët të jenë të bashkuar?

Arsyetimi i shëndoshë, kundër "rekomandimeve" jologjike, do të çonte drejt përgjigjes, PO.

Vetëm ata që nuk e dëshirojnë rolin e kombit shqiptar në Ballkan dhe në Evropë, nuk duan që shqiptarët të kenë shtetin e tyre të përbashkët.

Në këtë kategori përfshihen antikombëtarët, të shiturit tek shërbimet e huaja inteligjente, megalomanët kokëbosh dhe tërë shpura e viktimave që sot shkojnë qorrazi pas tyre.

Sot vazhdohet të jepet një tablo antikombëtare shumë e lexueshme, me përfaqësuesit e saj tipikë, të cilët nuk i shpëtojnë dot opinionit të shëndoshë shqiptar.

Ata ende nuk po ndalen, duke synuar goditjen në gurin e themelit të ngrehinës kombëtare shqiptare. Ata i tmerron shteti i bashkuar shqiptar me emrin Shqipëri.

Në këtë çështje ka edhe një konformizëm politik, që veçon krerët e subjekteve politike shqiptare kudo, të cilët kanë frikë nga teza e ribashkimit kombëtar.

Nëse ata nuk janë dakord me preambolën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku theksohet, "…për aspiratën shekullore të kombit shqiptar për identitet dhe bashkim Kombëtar" , ata nuk kanë dhe nuk duhet të kenë vend në politikën shqiptare.

Kush pretendon se ka dinjitet kombëtar, personalitet politik dhe arrin të mendojë shqiptarisht, duhet të ketë edhe kurajon të deklarohet për ribashkimin kombëtar.


Teza e mosbashkimit të kombit shqiptar dhe e krijimit nocioneve dhe termave me efekte përçarëse, është e vetëdemaskuar në të gjitha planet dhe me të gjithë përkrahësit e tyre, pa lënë mënjanë këtu subjektet politike, të cilat sot vazhdojnë të mbajnë peng politikën shqiptare.

Për këtë arsye, shqetësimi mbetet i pranishëm.

Cili është adaptiviteti i platformave apo programeve të servirura, qoftë nga individë apo institucione të interesuara, të cilat çojnë në zgjidhjet e problemit shqiptar?

Si dhe sa, ato arrijnë të çmontojnë filozofinë e mbrapshtë të ithtarëve të mosbashkimit?

A dëshirojnë shqiptarët kudo që janë, të jenë të bashkuar, në hapësirën që atyre u ka falur Zoti, me gjithçka që ata kanë, pa lakmuar gjënë e tjetrit?

Nëse do të pyeten politikanët shqiptarë (siç ka ndodhur rëndom në mjaftë raste) ata menjëherë do të përgjigjen: "..ne duam, por nuk do bota"(!) Ata kanë frikë të ndihen shqiptarë dhe të pranojnë me vetëdije të plotë përgjigjen, PO, Kombi Shqiptar duhet të ribashkohet.

Ata në çdo rast sjellin "argumente" pse shqiptarët nuk duhet të bashkohen, duke shkelur mbi dinjitetin e tyre kombëtar, të prirur nga një servilizëm tipik, politik dhe tejet poshtërues.


*Sekretar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik për Bashkim Kombëta

www.klimanaturali.org