Parathënie Historisë së Shqipërisë

Parathënie Historisë së Shqipërisë

Parathënie Historisë së ShqipërisëNë vitin 1959 u botua në Tiranë vëllimi i parë i Historisë së Shqipërisë, i cili, së bashku me vëllimin e dytë, që doli më 1965, përbën veprën e parë shkencore përgjithësuese për Historinë e Shqipërisë, të hartuar nga një grup autorësh. Historia e lashtë (Ilirët) përbënte pjesën e parë të vëllimit të parë të botimit të vitit 1959. Ajo shërbeu si bazë për hartimin e tekstit të ri të Historisë së Shqipërisë që u përgatit dhe u botua si maket për diskutim në vitin 1973. Pjesa e parë e vëllimit të parë të këtij botimi të ri (1973) përfshinte periudhën e historisë së lashtë, nga fillimet e shoqërisë njerëzore e deri në fillimet e mesjetës së hershme shqiptare. Ajo u përgatit nga prof. Selim Islami (redaktor përgjegjës), prof. dr. Muzafer Korkuti, prof. Frano Prendi dhe prof.dr. Skënder Anamali. Në vitin 1977, historia e lashtë u botua e ripunuar dhe e plotësuar me të dhëna të reja nga këta autorë, në formë dispense, për përdorim të brendshëm. Ky tekst, me pak shkurtime, u botua edhe në frëngjisht më 1985 si vëllim më vete, për t’u shfrytëzuar nga studiuesit dhe nga lexuesit e huaj, me titullin Les Illyriens - Aperçu historique, Tirana, 1985.
Pjesa e parë, Ilirët, që përfshihet në këtë botim të ri (vëllimi i parë), është mbështetur në variantet e vitit 1977 dhe 1985, por të ripunuara dhe të plotësuara prej të njëjtit grup autorësh:

  • Krerët I dhe II janë hartuar nga prof. dr. Muzafer Korkuti.
  • Krerët III dhe V janë hartuar nga prof. Selim Islami.
  • Kreu IV është hartuar nga prof. Frano Prendi.
  • Krerët VI, VII dhe VIII janë hartuar nga prof. dr. Skënder Anamali.
  • Prof. dr. Edi Shukriu ka shkruar në pjesën Mbretëria Dardane (Kreu VI) sythet: Territori, popullsia e kultura dhe Dardania paraurbane.
  • Përgatitja për botim (redaktimi) e pjesës Ilirët, me ndryshimet përkatëse u bë nga prof. dr. Muzafer Korkuti.