Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Butrint, Bashtovës, Borshit, Elbasanit e Gjirokastrës

Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Butrint, Bashtovës, Borshit, Elbasanit e Gjirokastrës


Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Butrint

Pranë qytetit të Butrintit, ndërsa rruga të çon në skajin më jugor të Shqipërisë, në Konispol, vetëm pak metër larg detit, ndodhet një tjetër kala e njohur me emërtimin Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, në Butrint.

Kjo kala, u ndërtua për të përballuar rezistencën franceze. Arkitektura e saj nuk është shumë e ndërthurur, gjë që flet për periudhën kur francezët morën në kontroll Korfuzin dhe kërkonin të depërtonin në qytetin e Butrintit si një pasuri e madhe arkeologjike dhe vlerash të tjera.
Aktualisht kalaja ka vetëm një hyrje. Punim i njëjtë i gurit dhe dora e vetme e ndërtimit flasin për një periudhë të vetme të ndërtimit të kalasë së mësipërme.

Të dhënat historike tregojnë se kjo kala është ndërtuar rreth vitit 1807, nën kujdesin e vetë Ali Pashë Tepelenës.


Kalaja e Bashtovës


Kështjella e Bashtovës është ndërtuar mbi një terren fushor, rreth 400 m në veri të lumit Shkumbin. Planimetria e saj ka formë drejtkëndëshe me përmasa 60 x 90 m. Muret janë të ndërtuar me gurë ranorë dhe konglomerat me forma te çrregullta

Kështjella është e pajisur me 8 kulla, të vendosura përkatësisht në të katër qoshet dhe në mesin e çdo muri të saj, me përjashtim të murit të saj perëndimor që i takon një periudhe të dytë ndërtimi. Ato kanë formë rrethore dhe katërkëndëshe, dhe ishin të hapura nga ana e brendshme e kështjellës. Ambienti i brendshëm i tyre ndahej në 5 kate me dysheme druri.

Kështjella e Bashtovës ka pasur 3 hyrje, ku ajo kryesore ndodhej në mesin e murit verior duke përshkuar kullën që ndodhej këtu. Një hyrje tjetër ndodhej në mesin e murit perëndimor, dhe tjetra në pjesën veriore të murit lindor. Shkallë të cilat mbështeteshin në faqen e brendshme të mureve të kështjellës të ngjisnin në shtegun e rojeve. Vijueshmëria e këtij të fundit ndërpritej vetëm nga kulla e hyrjes.
Kalaja e Borshit


I përket shek IV. dhe është rindërtuar në mesjetë.

Ajo ka një sipërfaqe prej 5 hektarësh dhe ka një bazament prej blloqe gurësh. Pas periudhës antike është përmendur për herë të parë në vitin 1258 me emrin Arkontea e Sopotit. Po në këtë vit kalaja i jepet si prikë bijës së Despotit të Epirit, Helenës.

Në vitin 1417 u pushtua nga turqit, ndërsa në vitin 1441, u pushtua nga Princi Arbër, Kostandin Muzaka.

Turqit e rimorën përsëri në 1848.
Kalaja njohu edhe pushtimin nga ana e Ali Pashait.
Kalaja ndodhet në majë të një kodre dhe është e dëmtuar.
Kalaja e Elbasanit


Është një kala fushore në qytetin e Elbasanit. Ajo përmendet për herë të parë nga Kristobuli, historian i Mehmetit të II -të.

Objekt studimi i plotë, kalaja u bë nga arkeologët austriakë, Prashniker dhe Shober të cilët konstatuan se poshtë mureve mesjetare kishte fortifikime të periudhës antike. Kalaja ka formë katër këndore me përmasa 308 x 48 metra. Nga 26 kulla që ka pasur, sot ruhen vetëm 8 prej tyre.
Në periudhën e vonë antike, qyteti brenda kalasë me emrin Skampini, nisi jetën si qendër banimi pranë rrugës Egnatia.

Rindërtimi i kalasë u bë nga turqit për qëllime strategjike. Sot muret brenda kalasë janë të banuara. Aty gjenden edhe objekte të rëndësishme kulti si të besimit mysliman ashtu edhe të atij kristian.
Kalaja e Gjirokastrës


Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Nga Kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur.

Kalaja e Gjirokastrës
Sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672: “ Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi. Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”. Në vitin 1417, Kalaja u pushtua nga turqit pas një rrethimi të gjatë.

Me kalimin e viteve, ajo filloi të luajë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Në vitin 1812, Kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena, i cili filloi rindërtimin e saj. Rindërtimi i kalasë, i një saraji dhe i disa godinave anekse, u bë me një ngutësi aq të madhe sa të gjitha punimet u kryen brenda një viti e gjysmë. Kalaja përmbante përveç barakave për vendosjen e një garnizoni prej 5 mijë ushtarësh, magazina të shumta nëntokësore që ishin llogaritur mirë për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve të nevojshme. Kronikat e kohës përmendin se vetëm për ndërtimin e vendqëndrimit të Ali Pashës, një kullë pranë këndit juglindor, punuan 1500 vetë. Me rënien e Pashallëkut të Janinës, Kalaja do të humbiste shkëlqimin e saj. Në vitet e luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ajo do të shërbente si vendstrehim për banorët e qytetit për tu mbrojtur nga bombardimet e ajrore.